Kryesore Von der Leyen sheh “dritë në fund të tunelit”: Vaksinimi do të...

Von der Leyen sheh “dritë në fund të tunelit”: Vaksinimi do të nisë brenda dhjetorit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Layen, beson se vaksinimi kundër COVID në vendet e BE-se do të nisë brenda muajit dhjetor.

“Qytetarët e parë europianë mund të vaksinohen para fundit të dhjetorit. Vendet anëtare duhet të përgatiten për logjistikën e shpërndarjes së qindra mijëra dozave të vaksinës, pasi ky është shpëtimi ynë“, tha von der Layen në një fjalim para Parlamentit Evropian

Ajo tha përpara eurodeputetëve se për të siguruar vaksinën, Unioni ka nënshkruar vaksina me 6 firma të ndryshme ndërkombëtare farmaceutike, ndërsa theksoi se këto Krishtlindje në BE do të jenë të ndryshme dhe më të qeta, por që ka edhe një lajm të mirë.

“Komisioni Evropian deri më tani ka siguruar kontrata me gjashtë kompani. Qytetarët e parë evropianë tashmë mund të vaksinohen para fundit të dhjetorit. Drita më në fund është në fund të tunelit”, beson ajo.

Ajo paralajmëroi se, megjithë “dritën në fund të tunelit”, nuk duhet të ketë lehtësim të shpejtë të masave të paraqitura kundër përhapjes së virusit koronar.

“Situata me pandeminë është akoma serioze. Me gati 3,000 vdekje në ditë, COVID-19 ishte shkaku numër një i vdekjeve në Bashkimin Europian javën e kaluar. Spitalet janë ende nën presion. Unë e di që pronarët e dyqaneve, banakierët dhe kamerierët duan heqjen e kufizimeve, por nuk duhet të përsërisim të njëjtat gabime. Relaksimi shumë i shpejtë dhe i tepërt rrezikon një valë të tretë pas Krishtlindjeve”, tha Von der Leyen.

Me shpresën tek nisja e shpejtë e vaksinimit dhe rënia e ndjeshme e infektimeve ditore, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi nisjen e lehtësimit të masave të karantinës kombëtare. Qytetarët francezë do të mund të dalin lirisht që nga kjo javë nëpër qytete. Në varësi të shifrave të ulëta, më 15 dhjetor do të lejohet lëvizja në gjithë Francës e po ashtu më 20 Janar 2021 do të rihapen baret e restorantet.

24-orëshi i fundit shënoi rekord vdekjesh ditore globale me mbi 11 700, duke thyer rekordin e 18 nëntorit.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Italia shënuan rekorde ditore vdekjesh për valën e dytë, ku situata në spitale është dramatike për shkak të dyndjes së pacientëve në spitale, njëlloj si në valën e parë.