Politika Vuçiç për djegien e flamurit serb: Veprim i papranueshëm, autoritetet shqiptare reaguan...

Vuçiç për djegien e flamurit serb: Veprim i papranueshëm, autoritetet shqiptare reaguan me seriozitet

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, komenton djegien e flamurit serb në Tiranë, gjatë protestës kundër tij.

“Përdhosja e simboleve shtetërore është diçka e papranueshme, por mendoj që autoritetet shqiptare reaguan me shpejtësi, seriozitet dhe përgjegjësi”, u shpreh Vuçiç, duke shtuar se nuk do të komentojë protestën kundër tij.

“Nuk do të përfshihem në punët e brendshme të një partie”, tha presidenti serb për televizionin publik, RTS.

Vuçiç falënderoi dhe reagimin personal të kryeministrit Rama lidhur me djegien e flamurit të Serbisë.

“Duhet të tregohemi racionalë, të shohim nga e ardhmja dhe të kuptojmë që ata zemërohen kur ne u djegim flamurin e tyre, gjë e cila ndodhi përpara mbërritjes së Edi Ramës në Serbi”, u shpreh ndër të tjera presidenti serb.

Për këtë incident reagoi edhe kryeministri Rama i cili risolli në vëmendje se ka folur shqip në Beograd duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se nuk ishte hero atëherë e nuk e ndjen veten tradhtar as tani që pret në Shqipëri presidentin serb Vuçiç.

Ndërkohë Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe për 6 të tjerë ka nisur procedimin penal, pasi dyshohet se dogjën 4 flamuj serb.