Rusia deklaroi se trupat e saj ushtarake kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor të Çernobilit për ta “mbrojtur atë”.
Sipas Ministrisë ruse, “grupe nacionaliste dhe organizata të tjera terroriste mund të përdorin situatën për të organizuar një provokim bërthamor”, dhe Rusia po përgatitet që kjo të mos ndodhë.
Rusia tha gjithashtu se nivelet e rrezatimit në zonën përreth centralit janë normale, dhe se një stafi i posaçëm po monitoronte nivelet e radioaktivitetit.
Trupat ruse morën kontrollin në centralin famëkeq bërthamor, të enjten.
Çernobili, vendi mbi të cilin nuk duhet të fluturojnë predha
Profesorja Claire Corkhill, eksperte e materialeve bërthamore në Universitetin Sheffield, raporton për disa nga rreziqet që paraqesin përleshjet ushtarake nëse ndodhin pranë zonës.
“Ky nuk është një vend ku mund të fluturojnë raketat. Çernobili përmban disa objekte për mbajtjen e mbetjeve bërthamore, duke përfshirë kupolën mbrojtëse që mbulon reaktorin që u dëmtua aq keq nga shpërthimi famëkeq i 1986-s. Këto ndërtesa janë projektuar për të mbajtur materiale radioaktive brenda, por ato nuk janë të blinduara”, tha ajo.
Ekspertja shtoi se dëmtimi i këtyre strukturave nuk do të shkaktojë të njëjtën katastrofë si në 1986, por do të hidhte poshtë një punë 30-vjeçare për pastrimin e zonës dhe do të shpërndante hirin radioaktiv.