Politika BE ndihmoi Shqipërinë për COVID-19, Basha: Rritja e testimeve kushton më pak...

BE ndihmoi Shqipërinë për COVID-19, Basha: Rritja e testimeve kushton më pak se bllokimi i ekonomisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas ndihmës së BE-së, e cila njoftoi sot se do t’i japë Shqipërisë 20 mijë teste për COVID-19. Lideri demokrat thekson se ndihma e Bashkimit Europian është shumë e vyer për nevojën e menjëhershme, që ka sot vendi ynë për të përballuar me sukses pandeminë globale të COVID-19.

Me një postim në “Twitter”, kryeopozitari thekson se rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të infektuarve dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë së coronavirusit.

Sipas Bashës, izolimi dhe bllokimi i ekonomisë kushton më shumë se rritja e numrit të testimeve për qytetarët.

“Faleminderit Bashkimi Evropian për ndihmën e vyer për Shqipërinë. Vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton më shumë se rritja e numrit të testimeve”, shkruan Basha.

Lajmi për ndihmën e BE-së për 20 mijë testime për koronavirus u publikua nga ambasadori Luigi Soreca me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Twitter”.