Politika Deputetët pro Bashës në PD: Begaj, kandidat i përcaktuar nga mafia e...

Deputetët pro Bashës në PD: Begaj, kandidat i përcaktuar nga mafia e pronave

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka quajtur kandidatin e shumicës socialiste për president, Bajram Begajn, si të “caktuar nga mafia e pronave shtetërore”.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, Grupi Parlamentar i PD-së që kryesohet nga Enkeleid Alibeaj dhe që janë në krahun e Llzim Bashës, thotë se zgjedhja e presidentit ishte një farsë, dhe aspak surprizë.

“Asnjë surprizë nga procesi personal i Edi Ramë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai nxorri sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte paralajmëruar se Edi Rama i ka farsë përbetimet për President konsensual dhe gjithëpërfshirës. Moslegjitimi i kësaj farse të paralajmëruar nga ana jonë, qoftë edhe me votë kundër, është detyrë e çdo deputeti të Opozitës”, shkruan Grupi Parlamentar i PD-së.

Partia Socialiste vendosi sot që të propozojë të shtunën në raundin e katërt për zgjedhjen e presidentit, Bajram Begajn si presidentin e ri të Shqipërisë.

Begaj, i cili ka një karrierë më shumë se 30-vjeçare në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, prej vitit 2020 shërben në rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.