Kryesore GJKKO konfirmon masën e sigurisë ndaj Berishës: Dy herë në muaj duhet...

GJKKO konfirmon masën e sigurisë ndaj Berishës: Dy herë në muaj duhet të paraqitet në SPAK

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas vendimit të GJKKO, “urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar një tjetër avokat kryesisht për mbrojtjen e Berishës, pasi dy avokatet e caktuara ditën e djeshme refuzuan ta përfaqësonin. Gjykata ka caktuar si avokate kryesisht Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të ish-kryeministrit.

Njoftim i GJKKO:

– Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.

– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.