Bota Historia: Rrethimi i Kievit, si Stalingradi 80 vjet më parë

Historia: Rrethimi i Kievit, si Stalingradi 80 vjet më parë

Ndërsa autokolona ushtarake mbi 60 km e gjatë shkoi drejt Kievit, rrethimi i kryeqytetit ukrainas sjell në vëmendje Betejën e Stalingradit

Andrea Marrone – Focus Storia

“Kievi është një qytet nën rrethim”, tha Denis Monastirs’kij, ministër i Brendshëm ukrainas. Rrethimi është një fjalë që na kthen në të kaluarën. Më saktësisht, tetëdhjetë vjet më parë, kur gjatë rrethimit të Stalingradit, rezistenca e dëshpëruar sovjetike arriti të asgjësonte ofensivën naziste. Do të ishte një paradoks për Putinin, nëse duke përmbysur palët në lojë, presidenti ukrainas Zelensky dhe qytetarët e Kievit do të ishin në gjendje të vazhdonin rezistencën heroike që pati Ushtria e Kuqe dhe i gjithë populli rus kundër nazistëve.

Por çfarë ndodhi gjatë Betejës së Stalingradit, e cila shënoi pikën e kthesës së pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik dhe fillimin e disfatës naziste.

Artileria gjermane në Stalingrad në 1942

MBI NJË MILION TË VDEKUR, TË ZHDUKUR DHE TË BURGOSUR. Pas dy muajsh sulmesh të pandërprera që filluan më 17 korrik 1942, një betejë e egër ishte zhvilluar në qytetin e bombarduar e të djegur, shtëpi më shtëpi dhe udhëkryq për udhëkryq. Grupe luftëtarësh rusë dolën gjatë natës, pas shpatullave të gjermanëve, duke i goditur ata dhe duke i zhdukur nën rrënoja. Tanket lëviznin mes rrugëve të shkatërruara dhe maleve me mbeturina, të mbushura me kufoma të pavarrosura ushtarësh dhe civilësh. Dhe mbi gjithçka dhe këdo, u shfaq makthi i snajperëve.

ARMATA VI. Në përpjekje për të marrë komandën e qytetit ishte ushtria e 6-të e gjeneralit Friedrich Paulus, me rreth 300,000 njerëz. Por forcat e saj po mbaronin dhe mundësitë e furnizimit ishin të pakta. “Furnizimi” i Stalingradit gllabëronte sasi të pafundme municionesh dhe pajisjesh të tjera çdo ditë. Më 19 nëntor, kur u lëshua kundërofensiva sovjetike, Operacioni Uranus, Paulus nuk mundi t’i rezistonte. Në nderim të planetit të shtatë të Sistemit Diellor, sovjetikët zgjodhën këtë emër të koduar për të treguar ofensivën e Ushtrisë së Kuqe, të mbështetur nga mijëra tanke dhe forca ajrore.

Zgjati një javë, nga 19 deri më 26 nëntor dhe përfundoi kur trupat komuniste, që përparonin nga jugu dhe veriu, u takuan pranë Kalach. Korridori tokësor që lidhte armatën e 6-të me linjat gjermane, u prish. Në atë moment Paulus, duke kuptuar situatën në të cilën u gjend, i kërkoi Hitlerit leje për të ndaluar sulmin ndaj Stalingradit, duke u përpjekur të thyente rrethimin me një kundërsulm në perëndim.

Gjenerali Friedrich Paulus pas dorëzimit në Stalingrad, 2 shkurt 1943

Leja nuk iu dha, Hitleri besonte se fitorja në Stalingrad ishte e arritshme, por mbi të gjitha ai kishte frikë se përparimi sovjetik mund të rrezikonte miliona ushtarë gjermanë të Grupit të Ushtrisë A, të cilët gjendeshin në Kaukaz dhe rrezikonin të shkëputeshin nga linjat e tyre. Prandaj urdhri i tij ishte i padiskutueshëm: Ushtria VI duhej të qëndronte në Stalingrad. Ndërkohë, teksa po përgatitej ofensiva e Grupit B për çlirimin e tij, u tentua të furnizohej nga qielli, me një transport ajror të përmasave të paarritura më parë.

RRETHIMI I MADH. Kështu filloi një rrethim i gjatë, me ardhje e ikje të pandërprerë të avionëve të transportit dhe bombardimeve që zbarkonin dhe ngriheshin nga aeroportet e atij që filloi të quhej der kessel, kazani: xhepi i Stalingradit, në të cilin gjermanët ishin mbyllur. Dhe ndërsa sovjetikët, të shqetësuar për të forcuar kontrollin e tyre rreth Ushtrisë së Gjashtë, ushtronin vetëm presion të lehtë nga jashtë qytetit, brenda gjermanët vazhduan përpjekjet për të rrëmbyer urën e fundit në bregun perëndimor të Vollgës nga armiqtë e tyre. Luftimet vazhduan dhe rreth Kodrës Mamayev Kurgan, relievi rreth të cilit u ndërtua Stalingrad. Të parët që humbën ishin civilët. Para sulmit gjerman, Stalingrad kishte pranuar vërtet një fluks të madh refugjatësh nga gjiri i Donit. Një urdhër nga Stalini kishte ndaluar evakuimin e civilëve për t’u dhënë ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe një motiv shtesë për të luftuar me bindje dhe për të krijuar një pengesë për gjermanët.

Beteja e Stalingradit

VDEKJE NGA URIA. Gjatë luftimeve, para rrethimit, popullsia pësoi bombardime ajrore dhe të shtëna artilerie si gjermane ashtu edhe ato sovjetike. Por tragjedia e vërtetë filloi kur ndaloi furnizimi për Ushtrinë e Gjashtë në mes të dimrit të tmerrshëm rus. Të mbijetuarit civilë kërkuan strehim në bodrumet dhe kanalizimet e qytetit të rrënuar. Përpjekjet titanike të Luftwaffe kundër motit të keq, bateritë kundërajrore dhe luftëtarët sovjetikë nuk arritën t’u siguronin gjermanëve të rrethuar furnizime të mjaftueshme me materiale dhe ushqime. Popullsia mbeti e braktisur.

Viktimat e para të urisë ishin kuajt e tërheqjes, nga të cilët ushtria varej kryesisht për transportin e artilerisë dhe furnizimeve. Pa foragjere, kafshët u therën (klima e ashpër lejoi që ato të vriteshin dhe të ruheshin në dëborë). Avionët e ngarkuar me të plagosur dhe të ngrirë u nisën nga aeroportet dhe u kthyen të ngarkuar me ushqime dhe municione. Pastaj pati mungesë karburanti dhe duke mos pasur më kuaj, furnizimet nuk mund të transportoheshin në pikat e ndryshme të Stalingradit.

Ushtarët gjermanë nxjerrin një grua ruse nga streha e saj nëntokësore (1942)

E shtrënguar nga sulmet gjithnjë e më të mprehta, ofensiva gjermane për çlirimin e qytetit (Operacioni Stuhia e Dimrit) ishte e dobët. E penguar nga Ushtria e Kuqe dhe moti i dimrit, ajo u shua. Ishte koha që gjermanët të barrikadoheshin në rrënojat dhe kanalizimet për t’i rezistuar sulmeve sovjetike. Në rrënoja, burrat luftuan pa asnjë shpresë për t’u shpëtuar. Ishte “rattenkrieg”, lufta e minjve, siç përkufizohej në Gjermani.

Ndërsa propaganda naziste trumbetonte heroizmin e atyre që tani ishin mbrojtësit e Stalingradit, Ushtria vdiste ngadalë. Municionet ishin të pakta, armët në dispozicion ishin gjithnjë e më pak dhe racionet ushqimore mbaronin gradualisht, derisa u vendos që të mos ushqeheshin ata që, për shkak të lëndimeve ose sëmundjeve, nuk ishin në gjendje të luftonin.

Një grup të burgosurish gjermanë në shkurt 1943

KAPITULLIMI. Të nënshtruar ndaj bombardimeve të pandërprera, gjermanët humbën kontrollin e aeroporteve dhe ditët e fundit u furnizuan me karburant vetëm nga furnizimet me parashutë. Ka pasur edhe raste të kanibalizmit. I ftohti dhe sëmundja i kishin shkatërruar 200.000 veteranë në një masë inerte dhe apatike. Kur Paulus vendosi të dorëzohej më 2 shkurt 1943, pasi mori gradën Field Marshall, ajo që mbeti nga Ushtria e 6-të u rreshtua në marshime të detyruara në akull dhe u transportua në kampet e burgut.

Pak më shumë se 5000 u kthyen në Gjermani pas robërisë. Mes rrënojave të Stalingradit, kur popullsia civile kishte filluar të kthehej, grupe gjermanësh të dëshpëruar mbijetuan duke u fshehur në bodrum, duke dalë natën për të vrarë dhe për të vjedhur diçka për të ngrënë. Sovjetikët i kërkonin sistematikisht: mbyllën tubat e kanalizimeve, i mbytën ose i hodhën në erë me eksploziv dhe përdorën flakëhedhës. Gjermani i fundit u vra më 10 mars 1943.