Kuriozitete I ndërtuar mbi një depo municionesh, banorët e fshatit zviceran duhet të...

I ndërtuar mbi një depo municionesh, banorët e fshatit zviceran duhet të largohen për 10 vjet

Banorëve të fshatit zviceran të Mitholz u është kërkuar të zhvendosen për të paktën 10 vjet nga shtëpitë e tyre.

Kjo për të lejuar autoritetet të pastrojnë një rezervë municionesh 3500 tonësh të vendosur në një depo nëntokësore.

Një vlerësim i bërë dy vite më parë mbi rrezikun që kjo depozitë nëntokësore kishte për banorët arriti në konkluzionin se rreziku ishte shumë i madh.

Depoja, e cila përmbante 7,000 ton eksploziv, shpërtheu në 1947, duke vrarë nëntë njerëz.

Sipas autoriteteve, studimi i fundit zbuloi rreziqe më të mëdha se sa inspektimet e hershme në 1949 dhe 1986, të cilat përcaktonin se në fshat mund të kishte ende shpërthime të tjera, por dëme do të kishte vetëm struktura.

Aso kohe, në vlerësimet paraprake autoritetet e konsideruan çdo pastrim të kësaj zone  si shumë të rrezikshëm, kryesisht për arsye gjeologjike.

Depoja e municioneve u krijua si pjesë e një strategjie ushtarake zvicerane që ruhej në rast se Zvicra, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte neutrale, sulmohej.

Ushtarët do të shpërndaheshin  në vende strategjike dhe të fshehta të maleve  dhe do të përfitonin nga rrjeti i municioneve nëntokësore.

Operacioni për heqjen e eksplozivëve nga depoja nuk parashikohet të fillojë deri në vitin 2030.

“Për arsye sigurie, sipas njohurive aktuale, banorët e Mitholz duhet të largohen të paktën për 10 vjet, në varësi të ecurisë së evakuimit”, ka deklaruar qeveria.

Autoritetet lokale dhe banorët u konsultuan për projektin dhe kanë dhënë miratimin e tyre. I gjithë operacioni pritet të kushtojë midis 463-835 milion euro.