Aktualitet “Jemi miq të Alfredit, nëse tërhiqeni iu japim azil politik në Greqi”,...

“Jemi miq të Alfredit, nëse tërhiqeni iu japim azil politik në Greqi”, çfarë ndodhi në seancën ndaj Belerit?

Teksa ka kundërshtuar me forcë akuzën prej ditës së arrestimit te tij, Alfred Beleri refuzoi të japë llogari para prokurorëve të SPAK në sallën e gjyqit. Në seancën e së martës, Beleri shfrytëzoi të drejtën ligjore për të mos dhënë pëlqim për t’u pyetur nga SPAK si i pandehur.

“Nëse do të kisha besim te prokuroria do t’i përgjigjesha çdo pyetjeje, por duke parë njëanshmërinë, refuzimin e çdo kërkese timen dhe dokumente të falsifikuara në dosje, nuk kam besim tek prokurori. Nuk dua të pyetem”, tha Beleri.

Me herët gjykata administroi një dëshmi, ku vëllai i të infiltruarit Arsen Rama, pohonte se iu kishin kërkuar tërheqje të dëshmisë në këmbim të azilit në Greqi. Gjykata lejoi leximin e deklarimeve, pasi dëshmitari nuk u gjet në adresën e tij dhe se, sipas TIMS, rezultonte jashtë vendit prej korrikut.

“Disa ditë pas arrestimit të Belerit më kanë ndaluar dy persona të panjohur. Njeri prej tyre më vuri dorën në sup dhe më tha: Jemi miq të Alfredit. Ti dhe vëllai që keni bërë incizime duhet të tërhiqeni. Nëse tërhiqeni, e marrim vëllanë tënd, e kalojmë në Greqi dhe i japim azil politik. Do ju rregullojmë dhe ju nuk do ta vrisni mendjen fare”, kishte rrëfyer Avdyl Rama para agjentëve te BKH në 23 qershor 23.

Po sipas tij, disa ditë më vonë, teksa po shkonte me motor nga Himara në Livadh i kishte dalë para një person.

“Kishte në dorë një si armë dhe ma drejtoi. Unë nuk ndalova, ndërsa ai më shau rëndë në greqisht”.

Rama kishte rrëfyer se pas arrestimit të Belerit i ishte vështirësuar jetesa, pasi askush nuk blinte me peshk në dyqanin e tij dhe se shaheshin nga persona të ndryshëm në Himarë.

Gjykata shtyu seancën për më 19 dhjetor për t’i dhënë kohë të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi të japë pëlqim ose jo për t’u pyetur në proces. Seanca e së martës u ndoq nga ambasadorja greke në Tiranë, kreu i PBDNj, por edhe nga gazetarët e disa mediave greke./A2