Sport Krizës së karburantit në Angli nuk i shpëton as Cristiano Ronaldo

Krizës së karburantit në Angli nuk i shpëton as Cristiano Ronaldo

Prej disa ditësh Britania e Madhe po përballet me krizë në shpërndarjen e karburantit për shkak se në të gjithë vendin nuk ka numër të mjaftueshëm të shoferëve të kamionëve.

Kësaj krize në vend nuk i ka shpëtuar as ylli portugez i Manchester United, Cristiano Ronaldo. Shoferi i futbollistit është parë me makinën Bentley 200 mijë Paund duke pritur në radhë në një pikë karburanti.

Por pas 7 orësh pritje, ai është larguar pa u furnizuar. Gjithashtu edhe rojet e Ronaldos të cilët ishin me automjetin Range Rover janë parë duke pritur në një pikë karburanti. Edhe ata patën të njëjtin fat. Pas disa orësh pritje, u larguan pa u furnizuar.

Të gjithë po prisnin nëse në pikën e karburantit do të mbërrinte ndonjë kamion çisternë. Pas gati 7 orësh nuk mbërriti asnjë kamion i tillë.

Cristiano Ronaldo nuk ishte me shoferin e tij, por mesa duket një nga futbollistët më të mirë në botë dhe ndër më të paguarit ndodhet në të njëjtën situatë si të gjithë qytetarët e tjerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, Kryeministri Boris Johnson ka pohuar se kriza e karburantit në Britaninë e Madhe po stabilizohet. Javën e kaluar, mediat britanike njoftuan se qeveria po përgatitet për të lehtësuar politikën e vizave në vend për shoferët e kamionëve.