Aktualitet Mjeku kërkoi legalizimin e ryshfetit, Rama: Mbresëlënës niveli i paturpësisë

Mjeku kërkoi legalizimin e ryshfetit, Rama: Mbresëlënës niveli i paturpësisë

Arrestimi i dy mjekëve disa javë më parë nxori në protestë bluzat e bardha. Ky tubim i ka bërë përshtypje kryeministrit Edi Rama, i cili kishte dëgjuar fjalimin e një mjeku që kërkonte legalizimin e ryshfetit.

Të turpshëm e quajti Rama propozimin. Ai u shpreh se autonomia spitalore do ta kalojë në një nivel tjetër shpërblimin e mjekut. Megjithatë Rama u shpreh se jo të gjithë bluzat e bardha fusin duart në xhepat e familjarëve. Sipas Ramës nuk mund të ketë barazim për punën që kryhet mes mjekëve.

“Më bëri përshtypje një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse, për nga niveli i kurajos dhe nga paturpësia e propozimit. Niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim, siç e kemi rritur. Nuk është zotim elektoral, zgjedhjet kanë mbaruar, por është zotim i planifikuar që të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%. Edhe kjo në vetvete nuk i thotë të gjitha pasi me autonominë spitalore duhet të kalojmë në një nivel tjetër të shpërblimit të mjekut duke krijuar një dysheme, por në këtë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj, por sipas mundit dhe cilësisë që bëjnë. Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është një mesazh për ndërhyrjen në sistem që ka filluar të ndjehet dhe të shtrihet më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë barazim të të gjithë mjekëve dhe bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve apo të pacientëve. E vërteta nuk është kështu”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “mjekë dhe infermierë që trondisin opinionin kur papritur shfaqen si gjakpirës” duhet të ndiqen dhe përndiqen deri në fund nga forca e ligjit.

Për sistemin shëndetësor dhe jo vetëm, për të gjithë sistemin publik, Rama tha se qeveria e tij ka vendosur që të bëjë presion të dyfishtë. Ai u shpreh se do të ndërtohet një rrjet i tërë antikorrupsion.

“Kemi në proces ndërtimi e një rrjeti të tërë antikorrupsion, nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re për të vendosur në një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik. Të gjitha këto që bëjmë humbasin një pjesë të vlerës së tyre në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe njerëzve”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, “reforma në shëndetësi është në një kantier të madh”.

“Qëllimi për të realizuar autonominë spitalore për të rritur kapacitetin me të gjitha aspektet është në një proces të avancuar. Është në proces të avancuar edhe synimi për të krijuar një hapësirë të painfektuar komunikimi dhe ndërveprimi mes bluzave të bardha dhe pacientëve dhe familjeve të tyre.”