Sport Një rus i jep medalje ari Shqipërisë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës

Një rus i jep medalje ari Shqipërisë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës

Shqipëria fiton medaljen e artë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës të zhvilluar në Turqi! Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Ky sukses vjen falë atletit me origjinë ruse, Matvei Petrov, i cili është pajisur me pasaportë shqiptare dhe garon prej disa vitesh për ngjyrat kuqezi.

Ai triumfoi në disiplinën e kaluçit me doreza, ku zuri vendin e parë. Një rezultat i papritur si për sportistin ashtu dhe për Shqipërinë.

30-vjeçari Petrov u tërhoq nga sporti në vitin 2016, pasi nuk arriti të kualifikohej në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Gjithsesi, pasioni për këtë sport dhe fakti se ndihej në formë bënë që ai t’i rikthehej disiplinës së “kaluçit me doreza”, këtë herë për të garuar për Shqipërinë.

Por si u bë Matvei Petrov shqiptar?

Ai jeton në Pragë (Republika Çeke) që pas Olimpiadës së Rios, ku punon si trajner në një palestër. Aty ai u njoh me pronarin e palestrës, një shqiptar, dhe nga këtu lindi ideja për të garuar për Shqipërinë, që u kurorëzua me një medalje të artë në europianin e gjimnastikës.

“Kur nuk u kualifikova për Lojërat Olimpike 2016 (Londër), e përfundova karrierën time si gjimnast dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner.

Nuk mendoja ta vazhdoja karrierën time sportive, por gjatë ditës sime të punës si trajner kisha pak kohë të lirë, kështu që fillova të stërvitesha sërish dhe kuptova se në të vërtetë isha ende në gjendje jo të keqe.

Dhe ishte thjesht me fat, sepse drejtori i palestrës ku kam punuar, Alon Hasa, është shqiptar. Kështu historia ime shqiptare filloi”, u shpreh Petrov.

Petrov ka marrë prej vitesh lejekalimin nga Rusia dhe është regjistruar e federuar nga Federata Shqiptare e Gjimnastikës, duke i sjellë vendit tonë një medalje të artë në Europian.