Kryesore Palmer sqaron arsyen e stërvitjes ushtarake amerikane në Shqipëri një ditë pas...

Palmer sqaron arsyen e stërvitjes ushtarake amerikane në Shqipëri një ditë pas zgjedhjeve

Në 26 prill, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, në vend do të zhvillohet stërvitja ushtarake Defender 21. Por sipas zv.ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, nuk ka asnjë lidhje mes zgjedhjeve dhe stërvitjes ushtarake të planifikuar kohë më parë. Ai u pyet për këtë çështje nga gazetarët gjatë një interviste virtuale, pas takimit me që zhvilloi po virtualisht me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Bashës.

Palmer: Nuk ka absolutisht asnjë lidhje. E vetmja gjë që mund të them për stërvitjet ushtarake është që pasqyron dhe thekson rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë marrëdhënieve tona me aleatët dhe partnerët tanë në NATO, jo thjesht Shqipërinë. Por, Defender 21 është më e madhe se Shqipëria. Do të kemi stërvitje, angazhime, me shumë partnerë dhe aleatë në NATO në të gjithë rajonin dhe mendoj vërtet që është një mundësi që Shqipëria të shkëlqejë, si aleate në NATO, si një vend i pozicionuar shumë strategjikisht. Por nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet më 25 prill. Sigurisht i kemi kushtuar vëmendje një retorike të mprehtë që ka qenë pjesë e fushatës politike por e vërteta është që të vetmet vende ku fushatat janë pa nxehtësi dhe jo të mprehta janë në vende si Koreja e Veriut apo Kina komuniste, ku njerëzit vërtet nuk kanë mundësi legjitime zgjedhjeje. Pra, e dini, politika demokratike shoqërohet nga pasioni. Nuk është vetëm normale por është në fakt e shëndetshme. Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i stërvitjes me trupa të ushtrisë amerikane ‘Defender Europe/21’, e cila, që nga viti 1995, konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Europë.

Ambasadorja Kim: Më lejoni të shtoj lidhur me çështjen e stërvitjes Defender 21. Datat për stërvitjen ishin përcaktuar shumë kohë më parë se të shpallej data e zgjedhjeve nga Presidenti Meta. Edhe një herë, siç tha Matt, varet nga axhenda e të gjitha vendeve të përfshira.

Palmer: Këto stërvitje planifikohen shumë kohë përpara. Ambasadorja Kim ka absolutisht të drejtë.