Extra Stilistët e flokëve në Tepelenë gjatë sistemit komunist

Stilistët e flokëve në Tepelenë gjatë sistemit komunist

Zanafilla e profesionit të berberit është shumë lashtë, ku shërbimet e para, mendohet të jenë kryer me strall të mprehur, 5000 p.e.s, ndërsa reliket e brisqeve, janë shquar midis atyre të epokës së bronzit, në Egjiptin e 3500 p.e.s. Berberët e kulturës egjiptiane kanë qenë individë shumë të respektuar.

Nuk jam në dijeni nëse arkeologët shqiptarë kanë ndeshur përgjatë kërkimeve, relike që lidhen me ketë profesion, por padyshim, besoj që duhet të kenë gjetur, pasi paraardhësit tanë janë nga më të hershmit në këto troje, Gadishullin Ilirik dhe më gjerë, përfshi edhe në ato vendbanime të Egjiptit të lashtë.

Për të mos u zgjatur, pasi historia është shumë tërheqëse, por do të ishte me shumë interes të dinim më shumë rreth këtij profesioni në qytetin e Tepelenës dhe rrethin e saj. Padyshim që edhe në Tepelenë, është ushtruar shumë herët ky profesion, por besoj se vetëm në arkivat e kohës së Perandorisë Osmane, mund të gjesh të dhëna.

Edhe, Ali Pashë Tepelena ka patur berberët e tij, si në kalanë e tij në Tepelenë edhe në atë të Janinës, por nuk kam ndeshur asnjë të dhënë rreth tyre, përveç një gojëdhëne që është e njohur tek të gjithë, atë të episodit që ai ka patur me një berber tek Rrapi i Libohovës, por as edhe emri i tij nuk dihet!

“Tani të kam në dorë jetën Ali Pasha …”, i shprehej berberi Aliut, përgjatë kohës që ai kishte briskun në dorë dhe po i ruante mjekrën! “Po, në dorën tënde është..!”, i shprehet Aliu, …pasi kalonte ndërmend se edhe mund të ndodhte, ngaqë berberi e kishte në dorë briskun. Me të mbaruar shërbimin, Aliu dha urdhër për t’i hequr kohën berberit, pasi herën tjetër mund ta ekzekutonte mendimin e tij në kokën e Aliut!

Këto i kam dëgjuar që në moshën 9-vjeçare, kur shkoja me pushime në qytetin e Libohovës, pikërisht, kur ndodhesha nën hijen e rrapit me moshë mbi 800-vjeçare, në qendër të këtij qyteti.

Aty, dëgjova për herë të parë, për Ali Pashë Tepelenën, pashallëkun, intelektin dhe madhështinë e tij. Po aty, nën degën e rrapit kur dikur varej rripi i lëkurtë, ku berberi mprehte briskun e metaltë, ndërmend më kalonte, sesi Ali Pashai, urdhëroi të ekzekutohej berberi me mendimin se sëbashku me berberin do të ekzekutohej edhe dinakëria, ligësia dhe tradhëtia në mendim. Ajo që mësova më vonë nga një i moshuar libohovitë, ishte se; berberi ishte nga rrethinat e Libohovës dhe emri i tij kishte humbur nëpër rrjedhën e kohës!

Megjithëse ai ekzekutoi berberin, duke menduar se do ekzekutonte edhe pabesinë, nuk mundi ta realizonte ëndrrën e tij, për të formuar shtetin shqiptar, pasi u vra nga shqiptarë të tjerë, me të njëjtën formë pabesie.

Duke parë që vitet e fundit, janë botuar në shqip, disa studime nga studiues shqiptar, shpresoj të mësojmë më shumë për këtë personalitet, i cili ka dashur të formonte shtetin shqiptar, qysh në fillimet e pashallëkut të tij.

Sot kanë dalë edhe historianë të rinj, të cilët duhet të hulumtojnë më shumë nëpër arkivat e shteteve fqinje dhe më gjerë, dhe jo të merren duke komentuar poezitë, këngët që janë kënduar për Aliun, apo të stërthonë ato që janë botuar, pasi figura të përmasave të tilla frymëzuese, e meritojnë të glorifikohen në kohë dhe jo të ngelen ende peng, duke pritur me shpresën se çfarë do sjellin aliologët e brezave në vazhdim!

Ajo që na ngelet, është që të shkruajmë emrat e atyre tepelenasve që kanë punuar stilistë flokësh në këtë qytet, pas çlirimit të vendit nga pushtuesit, ku vendi u udhëhoq nga Partia Komuniste. Janë të shumtë emrat e tepelenasve që kanë ndihmuar për të plotësuar e emrat e këtij kolektivi që punoi derisa u ndryshuan sistemet, në fillimin e vitit 1991-ë dhe në vazhdim.

Është tepelenasi, Fatmir Shehu, i cili na ndihmon me komentin e tij, në Facebook, ku shprehet: “Berberi i viteve para 1960-ës ka qenë, Sulo Ruçi, i cili ka mësuar edhe berberët e tjerë si, Telo Llukan Dine, Gëzim Çunaj, …etj. Ndërsa berberia e parë, që qethte gratë dhe burrat, quhej, Sambrete Hyseni. Një tjetër berber i vjetër tepelenas, me origjinë nga fshati i Peshtanit, quhej, Gjikë Jorgo.”

Edhe komentet e tepelenasve të tjerë, ndihmojnë për të plotësuar në vazhdim, emrat e berberëve që kanë punuar në këtë qytetin e Tepelenës.

Emrat e tyre janë: Mitro Todhe, Agim Skëndan, Arian Daci, Fortuze Tahiri, Xhezmi Çunaj, Astrit Hyseni, Aristotel Dine, Mete Aliaj, Sokol Shehu, Bajo Dervishi, Vullnet Peçi, Luan Nikolla, Mirel Ikonomu, Bajo Dervishi, Sokol Shehu, Oliver Rushiti, Ledion Burhani, Elvis Seli, Sigurim Ruçi, Vullnet Peçi, …etj.

Ndërsa parukieret që merreshin me prerjen dhe ngjyerjen e flokëve të vajzave, nuseve dhe grave tepelenase dhe ato të zonës përreth, ishin si: Anita Çela, Lindita Beluli, Diana Mera, Tefta Shehu, Shpresa Jaupi, Alketa Lamaj (Lila), …etj. Pas vitit 1990-ë, punuan edhe Majlinda Dervishi Todhe), Besa Abedini, …etj.

Ashtu si gjithë rinia dhe banorët e vendit, edhe ajo e qytetit të Tepelenës, ka patur shumë nga ata që tregonin një kujdes të veçantë për modelin e flokëve edhe pse aty ishte Selia e Komiteti Ekzekutiv të Partisë për gjithë rrethin, pa harruar se në këtë qytet, ishte edhe Dega e Brendshme.

Stilisti Oliver Rushiti duke punuar në studion e tij

Nuk jam në dijeni, se në cilën vendndodhje, ka qenë godina e berberanës së parë dhe të tjerat, kur janë transferuar, por mbajë mend atë të fundit, që ka shërbyer në krahë, midis Librarisë dhe Hotel Turizmit.

Është tepelenasi, Diogjen Jorgo, i cili , sjell një nga kujtimet e babait të tij: Ai shprehet: “Në kohën e monizmit, bakshishi konsiderohej shfaqje jo e pranueshme dhe nuk inkurajohej. Në disa ambiente si te Berberana e qytetit, në njërën nga faqet e murit, ishte shkruajtur me gërma të mëdha dhe të zeza: “Nuk pranojmë bakshish.” Usta Gjika, berberi më i vjetër aty, si usta që ishte, edhe për këtë problem e kishte menduar një zgjidhje. Ai kishte ngulur qëllimisht një gozhdë mbi pjesëzën mohuese “Mos”, dhe aty varte xhaketën e tij duke e mbuluar fare atë. Kështu, pas këtij veprimi, fjalia e mësipërme lexohej: “Pranojmë bashkish.”, duke marrë një kuptim të ri, krejt ndryshe nga ai i pari. Një zgjidhje praktike kjo për atë kohë.”

Në vazhdim, tepelenasi, Bujar Ruçi, sjell kujtime të tjera me humor të këndshëm që i shoqëronte këta stilista. Ai shprehet: “Kujtime shumë të bukura, ka secili nga ne, në atë floktore. Stilisti i talentuar, Gjikë Jorgo, ishte njeri i qetë dhe kishte një komunikim të veçantë me klientët. Kjo dukej edhe se si ai i trajtonte fëmijët, kur i qethte. Të shumta ishin rastet kur vinim në berberan dhe prisnim ulur tek divani, kishte edhe radhë të madhe, do uleshim në divan. Me vete, lutesha, që të qethesha tek usta Gjika, por koiçidonte ndonjëherë, që bija në duart e stilistit tjetër, Gëzimit, i cili, kur më qethte, ma rrotullonte kokën, si top futbolli dhe në fund të qethjes, më fuste edhe një pëllëmbë përkëdhelës. Më e forta ndodhte, kur bija në duart e stilistit, Vullnet Peçit, i cili, me cigaren e tij që e mbante në anë të buzës, pasi mbaronim së qethuri, të kapte nga veshi dhe ta tërhiqte lehtë duke bërë edhe pak humor.”

Edhe tepelenasi, Levend Lalaj, shpreh vlerësimin e tij “Në vitet e sistemit të kaluar, mjeshtërit e prerjes së flokëve, kanë qenë te paktë dhe mësonin shumë nga jeta sepse tek berberi, shkonin klientë të niveleve të ndryshme, si në arsimim dhe kulturë”.

Të gjithë këta stilistë, kujtohen me respekt për punën e tyre, pasi kanë qenë të talentuar duke treguar përkushtim të lartë në këtë profesion të respektuar!

Edmond Ismailati

Korrik 2021