Politika Tabaku: Rama është gati të shesë vartësit e tij, mbrojtja e aferës...

Tabaku: Rama është gati të shesë vartësit e tij, mbrojtja e aferës e paprecedentë

Pas seancës dëgjimore maratonë me protagonistë, në rolin e dëshmitarit, të kryeministrit Edi Rama, kreu i Komisionit Hetimor, deputetja e PD-së Jorida Tabaku përmblodhi pikat dhe domethënien politike të ditës së sotme.

“Atë që dëgjuam për 10 orët e fundit ishte dëshmitari që e mbronte korrupsionin, e justifikonte, hiqte përgjegjësit e tij për korrupsionin, por ajo që nuk arritën shqiptarët të dëgjonin është sesi ka mundësi që tre persona në kërkim po marrin edhe sot para nga buxheti i shtetit”, deklaroi Tabaku.

Nënkryetarja e PD-së shtoi se “Komisioni Hetimor i ka bërë një nder publikut duke i bërë transparente faktet, duke vendosur me zë dhe figurë administratorët dhe përfaqësuesit zyrtarë atë që ka ndodhur në aferën e inceneratorëve. Sot Rama dështoi të thoshte si ka mundësi të jepet një koncesion disa personave pa eksperiencë, pa kapital bankar, me lidhje me të paktën dy ministra, me një arrogancë të plotë ndaj çdo procedure. Bëri mbrojtjen më të mirë politike për ata që janë në kërkim”.

Sipas sak, “nuk kishim pritshmëri të tjera. Por është çudi si ka mundësi që një kryeministër që ka dy ministra përpara drejtësisë të jetë krenar për çdo vepër korruptive, në çdo vend tjetër do të ishte dorëhequr. Ne do bëjmë punën tonë për t’i çuar SPAK dosjen e plotë,  me përgjegjësitë e secilit. Sot kuptuam se Edi Rama është gati të shesë të gjithë vartësit e tij, por mbrojta politike për aferën ka qenë e paprecedentë”.