Aktualitet Vritet për hasmëri Nikolin Lekstakaj në Lezhë

Vritet për hasmëri Nikolin Lekstakaj në Lezhë

Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të mërkure në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Balldre, jashtë një marketi.

Nga të shtënat ka mbetur i vrarë Nikolin Marku (Lekstakaj), 42 vjeç. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë.

Sipas të dhënave të para, ngjarja dyshohet se vjen për shkaqe hasmërie.

Vrasja dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj. Ky i fundit u vra në lokalin e tij në Shëngjin, më 19 Prill, vrasje e cila sipas policisë erdhi si pasojë e hasmërisë së vjetër së Nikulajt me fisin Lekstakaj.

Historia e gjakmarrjes mes tyre nisi në vitin 1997, ku një borxh prej 5 mijë lekësh i marrë nga viktima e sotme Nikolin Lekstakaj, në një pikë karburanti u bë shkak për një histori 26-vjeçare gjakmarrjeje mes palëve, me disa viktima.

“Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Nikolin Marku (Lekstakaj), rreth 42 vjeç. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve“, tha policia e Lezhës në një informacion paraprak për mediat.