Kryesore Zbardhet dëshmia e të dashurës së Hekuran Billës: E bëra për para’

Zbardhet dëshmia e të dashurës së Hekuran Billës: E bëra për para’

Adiola Lakra, 26-vjeçarja që u arrestua si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës ka pranuar rolin e saj në krimin e rëndë.

Në dëshminë e parë para hetuesve, ajo ka thënë se “frekuentohej” me Billën prej një viti.

“E nxora në pritë për para”, mësohet se ka thënë Lakra në polici, e cila u arrestua mbrëmë në qytetin e saj të lindjes, Berat.

“Me Sebastiano Malin kam miqësi. Ai më kërkoi të njihesha me Hekuran Billën dhe të krijoja miqësi me të. Për këtë më ofroi para. Kam rreth 1 vit që shoqërohesha me Billën”, mësohet të jetë shprehur ajo, raporton News24.

Adiola Lakra

Sipas hetimeve, ajo kishte njohje me familjen e Viktor Markut, i cilësuar nga Policia si autori kryesor i vrasjes së Billës.

Policia dyshon se e reja ka bashkëpunuar me Sebastian Malin dhe Viktor Markun për ekzekutimin që tronditi Tiranën pak javë më parë.

Sipas hetimeve, mësohet se ajo e ka telefonuar Billën dhe i ka kërkuar një takim në zonën e Komunës së Parisit, pranë shtëpisë së motrës së tij, aty ku edhe ku ndodhi vrasja.

Telefonata është zbuluar nga tabulatet telefonike, dhe që prej ditës së vrasjes ajo është mbajtur nën vëzhgim nga Policia për t’u arrestuar këtë të premte, në bashkëpunim me “blutë” e Beratit.

Hekuran Billa u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit në zonën e Komunës së Parisit.

Shkak për vrasjen e tij dyshohet se ka qenë hakmarrja. Kjo pasi në vitin 2006, Billa ekzekutoi në Britani Prel Markun, vëllain e Viktor Markut.