Trafikanti i kokainës, Enea Sulejmani, që u qëllua mbrëmjen e djeshme me armë nga një punonjës policie në Tiranë paraqitet jashtë rrezikut për jetën pasi sipas informacioneve paraprake, plumbi nuk i ka prekur asnjë organ jetësor.
Së bashku me tw, në pranga kanë rënë dhe dy të rinj të tjerë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj pasi dyshohet se bashkëpunonin për të furnizuar shpërndarësit e lëndës narkotike në zonën e Xhamllikut. Ata do të shkëmbenin drogën në vendin që u kapën në agjentët e antidrogës.
Enea Sulejmani tentoi të transportonte 1 kg kokainë në momentin kur u qëllua nga policia pasi gjatë operacionit për arrestimin e tij, nuk iu bind thirrjes së policisë dhe i ka dhënë shpejtësi mjetit të tij duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Nga hetimet paraprake të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, efektivët e antidrogës nuk kanë kryer shkelje. Atyre u është kërcënuar jeta pasi mjeti nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe drejtuesi i makinës i ka dhënë gaz duke i goditur efektivët, por fatmirësisht pa të lënduar.
Një reagim për ngjarjen pati edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se për këdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, toleranca do të jetë zero.
Njoftimi i Policisë:
Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë momentit që struktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.
Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjësit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.
Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.