10 gjysmëfinalistët do të përballen sot me skenën e Universitetit të Arteve. Finalja nesër më 8 mars.
Nëse dikujt në Shqipëri do t’i thoje se në Tiranë po organizohet një konkurs botëror i dirigjentëve, reagimi i parë do të ishte mosbesim, i pasuar me habi.
75 dirigjentë nga 35 vende të ndryshme të botës, janë në Tiranë, në garë me njëri-tjetrin, por edhe për të provuar të drejtojnë një Orkestër me shumë vite mbi supe, si ajo e Radiotelevizionit Shqiptar.
Radiotelevizioni Publik në Shqipëri, është bashkëorganizator në këtë event unik, duke iu ofruar si vlerë e shtuar, organizatorëve prestigjiozë. NRTA Conducting Competition, është një emër ambicioz, në listën e konkurseve të këtij kalibri ndërkombëtar të muzikës.
Faza e parë eliminatore e konkursit të organizuar nga RTSH dhe Orkestra Simfionike ka qenë online ku aplikuan mbi 200 dirigjentë. Nga kjo fazë juria përzgjodhi 75 konkurrentë të cilët erdhën në Tiranë të mirëpritur nga artistët e Orkestrës së harqeve të RTSH-së, për të zhvilluar një fazë të parë në datat 2, 3, 4 Mars, vetëm me një pjesë të përzgjedhur nga organizatorët .
Pasditen e 4 Marsit juria dha vlerësimin në përzgjedhjen e 24 konkurrentëve të cilët vijuan fazën tjetër të garës në datat 5 dhe 6 Mars.
10 gjysmëfinalistët do të përballen në skenën e Universitetit të Arteve me më shumë përkushtim por pa dyshim dhe emocion.
Në këtë konkurs ndryshe nga konkurset e tjera nuk ka kufi moshe si për ti dhënë kështu mundësi të gjithëve të jenë pjesë e garës. Një tjetër veçanti në këtë aktivitet është pjesëmarrja nga e gjithë bota duke përfshirë dirigjentë nga 35 shtete.
3 finalistët e NRTA Conducting Competition do të ngjiten në podin e dirigjentit dhe do të drejtojnë Orkestrën Simfonike të RTSH-së në datën 8 Mars ora 19 :00 në sallën e Universitetit të Arteve për të treguar kështu të gjitha vlerat artistike si drejtues orkestre përpara jurisë e cila përbëhet nga personalitete botërore të muzikës. Kjo finale do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH MUZIKË si një kanal që tregon vëmendje të veçantë ndaj muzikës në tërësi.
E veçanta e këtij konkursi është dhe kujtesa që i bëhet figurës së kompozitorit tonë të nderuar, Nikolla Zoraqi. Një figure unike në muzikën tonë e cila i ka prekur me mjeshtëri të gjitha gjinitë e muzikës, duke filluar nga kënga, romanca e deri tek veprat më të mëdha si balet, koncerte , simfoni etj vepra këto të fondit të artë të muzikës shqiptare. Në natën finale do të kemi një Uverture Festive të Nikolla Zoraqit e cila do të luhet në tre forma të ndryshme me tre dirigjentë të ndryshëm por me një orkestër të vetme.
Juria e Konkursit Ndërkombëtar të dirigjentëve është një juri që prej disa ditësh ka vlerësuar me shumë kujdes mënyrën se si konkurrentët drejtojnë një orkestër. Ka vlerësuar kërkesat e tyre interpretative nga një orkestër sinfonike. Trajtimin e një vepre e cila tregon nivelin dhe karakterin artistik të një dirigjenti.
Ndonëse nuk e kemi akoma fituesin pasi për këtë do të na duhet të presim mbrëmjen e 8 Marsit. Ai/ ajo do të jetë një dirigjent/e që ashtu si dhe të tjerët do të jenë të mirëpritur sërish nga Orkestra Simfonike e RTSH-së për të realizuar koncerte dhe për të marrë duartrokitjet e publikut shqiptar. Por jo vetem kaq, ky konkurs do t’ju siguroje atyre që të ndërtojnë një karrierë të sigurtë në profesionin e bukur të dirigjentit duke drejtuar orkestra prestigjioze si ajo e Hungarisë e Norvegjisë, Solisti Aquilani etj, etj.
Konkursi ndërkombëtar i dirigjentëve, ka nisur në vitin 2015, si një projekt ambicioz me Orkestren Simfonike hungareze MAV. Asokohe u regjistruan 100 aplikantë, ç’ka u konsiderua si shifër e habitshme, lidhur me dëshirën ndoshta të pashprehur të dirigjentëve të rinj, për të treguar veten e tyre përpara një jurie ndërkombëtare. Nën të njëjtën frymë e peshë profesionale, vijuan edhe edicionet e tjera të këtij aktiviteti, gjë që bëri që dirigjentët e rinj, të përmirësonin veten, për t’u ballafaquar me kolegë nga shumë vende të botës. Rrugëtimi artistik përfshiu disa shtete me traditë në muzikën klasike, si Italia, Franca, Hungaria, por edhe të tjera shtete si Greqia apo Kazakistani. “Stacioni“ i radhës për 2019 është Shqipëria, jo edhe aq “kokëulur“ përsa i përket plejadës së dirigjentëve të saj.
Brenda misionit të tij, për të përçuar artin e kulturën në publik, Radiotelevizioni Shqiptar, ndërmori këtë nismë kurajoze, për të realizuar një aktivitet të këtyre përmasave, në bashkëpunim edhe me “Classics Management”.
Agjensia “Classics Management” ka si qëllim promovimin e artistëve të rinj dhe mundësinë që ata të jenë pjesë elitës muzikore. Njëkohësisht kjo agjensi zhvillon masterklase, organizon koncerte, turne si dhe vë në skenë vepra të ndryshme me orkestra ndërkombëtare.
Çfarë thanë anëtarët e jurisë?
Kryetari e kësaj jurie është Z.Zhani Ciko – Mjeshtër i Madh: “E gjitha kjo është një vlerë e shtuar e RTSH-së e cila së bashku me organizma artistike ndërkombëtare mund të zhvillojë aktivitete të nivelit të lartë artistik. Përsa i përket Orkestrës dua të them – se ajo ka elementë të rinj dhe kjo i ka dhënë orkestrës një forcë dhe entuziasmin e duhur duke krijuar një formacion të konsoliduar artistik i cili mund të bëjë akoma me shumë.”
Vittorio Parisi – Dirigjent, Docent në Konservatorin G.Verdi, Milano: “Kam shumë miq në këtë orkestër dhe ndjehem mjaft mirë mes tyre sa herë që vij. Gezohem kur shoh rritje të nivelit artistik të një prej orkestrave më të rëndësishme në vendin tuaj. Niveli I lartë artistik është ndërthurur mjaft mirë me disiplinën, gjë që mendoj është shumë e rëndësishme në artin që në bëjmë. E gjitha kjo ka bërë që konkurrentët të ndjehen mirë me artistët e orkestrës. Konkurrentët i kishim të moshave të ndryshme por sigurisht më shumë të rinj pasi janë ata që kanë nevojë të ballafaqohen dhe të marrin përshtypjet nga juria, gjë që bën që ata të jenë edhe më shumë të angazhuar në të ardhmen”.
Bernt Bauge- Menaxher i Filarmonisë së Bergen: “Fillimisht duhet të them që ky është një konkurs shumë i rëndësishëm për dirigjentët e rinj. Jam i befasuar me numrin e madh të pjesëmarrësve dhe gjithashtu dua të them se niveli artistik i këtyre dirigjentëve është mjaft i lartë, gjë që herë pas here të vë në vështirësi kur bëhet fjala për vlerësim. Është bukur kur je pjesë e një jurie, veçanërisht kur flasim për një konkurs kaq dinjitoz ku përveç konkurrentëve kemi dhe një orkestër të një niveli kaq të lartë. E gjitha kjo sa me lart do të ndikojë në emrin e mirë të artit dhe muzikës serioze shqiptare”.
Gyorgy Igric –Drejtor Artistik i Orkestrës Sinfonike të Radios, Hungari, shprehet se “gjatë këtij rrugëtimi të këtyre ditëve juria ka patur shumë befasi të bukura ku përfshihen këta dirigjentë të cilët kanë një dëshirë te madhe për të qënë pjesë e elitës muzikore. Ndjehemi të gëzuar kur shikojmë dirigjentë nga e gjithë bota dhe sidomos nga Azia. Tashmë profesioni i dirigjentit nuk ju takon më vetëm djemve por edhe vajzave numri i të cilave ishte i shumtë në këtë konkurs si asnjëherë tjetër. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit tim këtu kam gjëra shumë të bukura por ajo që më ngroh shpirtin si muzikant që jam është përkushtimi i orkestrës. Janë artistë të vërtetë”.
Maurizio Cocciolito –Drejtor Artistik i Solisti Aquilani, tregon se “ngjarje të tilla janë të rëndësishme për gjithsecilin pasi këtu njihesh me njerëz, kultura dhe eksperienca të reja. Ajo që më bën vërtet përshtypje- shton ai- është pjesëmarrja e madhe dhe shtrirja e tyre gjeografike e cila e bën shumë interesante gjithçka që na ofrohet nga konkurrentët. Ata vijnë nga shkolla të ndryshme, dhe kjo e bën më interesante garën. Jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë sallë e cila mësova që ka qenë fillimi dhe vazhdimi i historisë së muzikës së vërtetë shqiptare”.
Davide Cicchetti , Drejtori përgjithshëm në “Classics Management” është mjaft entuziast për realizimin e këtij konkursi në Shqipëri. Ai vlerëson me nota maksimale Orkestrën e RTSH-së si një Orkestër me një nivel të lartë artistik duke e barazuar me orkestra me emër në arenën muzikore, me një angazhim maksimal për çdo kërkesë të konkurrentëve por njëkohësisht dhe të organizatorëve. Ai gjithashtu vlerësoi dhe buzëqeshjen dhe dashamirësinë e çdo artisti të kësaj orkestre pavarësisht lodhjes dhe tejzgjatjes në interpretim gjatë këtyre ditëve.