Sport Agjenti i Ronaldos: Do thyejë rekordin e Peles dhe këtë do ta...

Agjenti i Ronaldos: Do thyejë rekordin e Peles dhe këtë do ta bëjë me fanellën e Juves

Fabio Paratici ishte i qartë disa ditë më parë: Cristiano Ronaldo do të mbetet te Juventusi të paktën deri në skadimin e kontratës aktuale. Tani, për ta konfirmuar këtë fakt, mbërrijnë edhe fjalët e agjentit të yllit portugez, Jorge Mendes. I intervistuar nga “Tuttosport”, Mendes siguroi se Cristiano Ronaldo, pas golit numër 700 në karrierë, të shënuar me Portugalinë, dëshiron të arrijë rekorde të reja të rëndësishme me Juventusin: “Cristiano ka arritur shifrën e mrekullueshëm të 700 golave, por nuk kam dyshim se do ta kapërcejë Pele si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit. Këtë do ta bëjë me Juventusin. Në fund të fundit, edhe 68 gola të tjerë për një sulmues të jashtëzakonshëm si Cristiano Ronaldo nuk janë shumë. Jam i bindur që më e mira ka ende për të ardhur”.

Një premtim që me siguri do t’i bëjë fansat bardhezinj të ëndërrojnë, pasi, në fakt, për të kapërcyer mitin brazilian, CR7 duhet të shënojë edhe 68 gola të tjerë. Mendes, gjithashtu, ka theksuar edhe një herë se Ronaldo është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Dhe shpjegon pse: “Numrat nuk gënjejnë. Në mënyrë dërrmuese, Cristiano i ka thyer rekordet në futboll. Kjo e lartëson atë në kategorinë e lojtarit më të mirë në historinë e futbollit dhe me një ndryshim të madh në krahasim me të dytin, për gjithçka që ka bërë në shërbim të klubeve të ndryshme, që përfaqësoi; Angli, Spanjë dhe tani në Itali, por edhe kombëtaren portugeze. Falë Cristiano Ronaldos, Portugalia tashmë ka luajtur tri finale, duke fituar dy”. Tani, megjithatë, tifozët e Juventusit shpresojnë që Ronaldo të fitojë një finale me ta. Ndoshta në Champions…