Politika Beleri jep mesazh nga burgu, mbështetësit e presin me lot në Himarë....

Beleri jep mesazh nga burgu, mbështetësit e presin me lot në Himarë. Politikanët që ishin të pranishëm në protestë

Në ditën e fundit për betimin e tij si kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri dha një mesazh nga burgu për mbështetësit e tij që mbajtën një protestë.

Ndërsa para tyre ishte lëshuar mesazhi i Fredi Belerit, protestuesit e pritën me lot dhe thirrje në mbështetje të tij.

Beleri shprehet në mesazh se nuk e ka humbur shpresën që do të marrë drejtimin e Bashkisë. “Jam mirë, jam i fortë. Jam duke pritur. Kanë kaluar 3 muaj, jam i vendosur të betohem kryetar bashkie dhe të shkoj atje ku më kanë emëruar himarjotët. Dua t’u them atyre të jenë të fortë, të presin dhe të kenë besim te Zoti. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë. Ndonjëherë më shpejt, ndonjëherë më ngadalë, por në fund fiton gjithmonë”, tha ai nga burgu.

Ai hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. “Arsyeja e vetme që jam këtu është rrëmbimi i pronave për llogari të investitorëve strategjikë që janë kryesisht miq të qeverisë dhe kryeministrit,” shtoi Beleri.

Protesta është zhvilluar para zyrës së Omonia-s, ku nuk ka munguar dhe prania e dhjetëra televizioneve greke të cilat kanë ndjekur që prej majit çështjen e arrestimit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, i cili u kap nga policia e qytetit bregdetar për shit-blerje votash.

Nga klasa politike, të pranishëm në protestë ishte vetëm ish-ministri Ylli Manjani, si dhe kreu i kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

Pjesë e këtij tubimi ishin dhe kryetarët e Bashkive të Athinës, Selanikut dhe Korfuzit.

Athina prej kohësh ka kërkuar lirimin e Fredi Belerit nga burgu, duke “kërcënuar” se kjo çështje mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesion e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fillim të muajit, SPAK çoi për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në njoftim, SPAK argumentoi se nga provat e administruara gjatë hetimit, rezulton se është e provuar që Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për shërbimin që do të kryente Arsen Rama, do të shpërblehej në shumën 300 euro.