Bota Biden dhe Modi, epokë e re në marrëdhëniet mes vendeve

Biden dhe Modi, epokë e re në marrëdhëniet mes vendeve

Presidenti amerikan Joe Biden priti Kryeministrin indian Narendra Modi në një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Të dy liderët e cilësuan takimin si një epokë të re në marrëdhëniet SHBA-Indi. Vizita shtetërore e Modit u shoqërua me një sërë marrëveshjesh në fushën e mbrojtjes dhe tregtisë, që synojnë t’i kundërvihen ndikimit global të Kinës.

“Është një ditë që ka një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve Indi-Amerikë. Diskutimet tona dhe vendimet e rëndësishme që kemi marrë i kanë shtuar një kapitull të ri partneritetit tonë strategjik global”.

Pjesë e diskutimeve ishin dhe qëndrimet lidhur me Rusinë dhe të drejtat e njeriut. Uashingtoni dëshiron që India të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës, megjithëse disa analistë dhe ish-zyrtarë kanë vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Indisë për t’i bërë ballë Pekinit, për çështje të tilla si Tajvani.

SHBA-ja ka qenë gjithashtu e shqetësuar mbi lidhjet e ngushta të Indisë me Rusinë.

“Në takimin tonë diskutuam disa çështje rajonale dhe globale. Paqja dhe siguria në Indo-Paqësorin është prioriteti ynë i përbashkët. Që nga fillimi i ngjarjeve në Ukrainë, India ka vënë theksin në zgjidhjen e mosmarrëveshjes përmes dialogut dhe diplomacisë”.

Mes të tjerash Kryeministri indian mohoi se diskriminimi ndaj pakicave ekzistonte nën qeverinë e tij, pavarësisht raporteve të grupeve të të drejtave dhe Departamentit të Shtetit për abuzime. Ai u shpreh se nuk ishte e nevojshme të ndërmerren hapa për t’i përmirësuar.

Vizita e Modit nuk kaloi pa polemika pasi një grup i vogël demonstruesish u mblodhën, për të protestuar mbi qasjen e administratës Biden ndaj Modi në lidhje me të drejtat e njeriut.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë kanë ngritur pikëpyetje mbi vendimin e Biden për t’i ofruar nderim të lartë një udhëheqësi gjatë mandatit 9-vjeçar të të cilit liria politike, fetare dhe liria e shtypit është përkeqësuar.