Sport Ceferin paralajmëron Juve, Milan, Real dhe Barça: Nuk do luajnë në Champions...

Ceferin paralajmëron Juve, Milan, Real dhe Barça: Nuk do luajnë në Champions nëse…

Aleksander Ceferin, president i Uefa-s

UEFA nuk mori masa ndëshkuese për klubet që iu bashkuan Super Ligës, por Presidenti i saj, Aleksander Ceferin, ka paralajmëruar klubet që ende nuk e kanë zyrtarizuar tërheqjen nga kjo nismë, se nuk do të mund të luajnë në Champions League.

Në deklarata për “Der Spiegel”, Ceferin ka përsëritur ato që po rrezikojnë ekipet: “Çdo klub që vazhdon të jetë i përfshirë në Super Ligë, në të ardhmen nuk do të mund të luajë në kompeticionet e organizuara nga UEFA”.

Një mesazh direkt për Juventus, Milan, Real Madrid dhe Barcelona, 4 ekipet që nuk kanë zyrtarizuar ende tërheqjen nga Super Liga.

“Kompeticionet tona do të jenë fantastike edhe pa këto 4 ekipe. Kushdo që kërkon të tregohet egoist mund ta provojë sërish krijimin e Super Ligës. Por, e pamë se si dështuan ata që e provuan herën e parë”, shtoi Ceferin.

Megjithatë deklaratat e tij nuk janë pritur mirë nga pjesa më e madhe e tifozëve, pasi presidenti i UEFA-s po përdor tone autoritare, aq më tepër që nuk ka baza ligjore për ta ndërmarrë këtë nismë.