Kryesore Europa në flakë, BE aktivizon mekanizmin e mbrojtjes civile: Dy helikopterë në...

Europa në flakë, BE aktivizon mekanizmin e mbrojtjes civile: Dy helikopterë në ndihmë të Shqipërisë

Shumë vende në Europë janë përfshirë nga flakët, ku deri tani qindra mijëra hektarë me bimë e pyje janë djegur. Lidhur me këtë situata Komisioni Europian po mobilizon me shpejtësi mbështetje për të ndihmuar vendet në kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës dhe jetesës.

Deri tani në ndihmë për vendet e prekura janë dërguar disa aeroplanë.

“Solidaritet evropian me Italinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që po luftojnë aktualisht me zjarret shkatërruese. Qipro, Çekia, Franca, Sllovenia dhe Holanda po vendosin në gatishmëri aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile”, thuhet në reagimin në “Twitter”.

“Dy helikopterë për të mbështetur operacionet në Shqipëri do të dërgohen nga Çekia dhe Holanda”, thuhet në njoftim.

Dy aeroplanë zjarrfikës “Canadair” nga Franca po dërgohen në zonat e prekura në Itali për të filluar operacionet e shuarjes së zjarrit sot.

Dy avionë zjarrfikës nga Qipro po mbështesin Greqinë, në krye të një ekipi zjarrfikës për të mbështetur operacionet në terren. Ndërkaq, Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut.

E gjithë ndihma mobilizohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, me bashkëfinancim nga Komisioni të paktën 75 % të kostove të transportit.