Sport “Faleminderit Andrea”, Juventus zyrtarizon shkarkimin e Pirlos

“Faleminderit Andrea”, Juventus zyrtarizon shkarkimin e Pirlos

Tashmë është zyrtare: Andrea Pirlo nuk është më trajneri i Juventusit. Njoftimi erdhi nëpërmjet rrjeteve sociale të klubit bardhezi.

Andrea Pirlo largohet nga drejtimi i Juventusit pas vetëm një sezoni dhe dy trofeve të fituar (Kupë dhe Superkupë Italie). Drejtuesit bardhezinj kanë vendosur që t’ia besojnë stolin Massimiliano Allegri.

“Faleminderit, Andrea. Këto janë fjalët e para, që të gjithë duhet të themi në fund të kësaj përvoje të veçantë që jetuam së bashku. Disa muaj më parë, Andrea Pirlo, një ikonë e futbollit botëror, filloi një aventurë të re në stolin e Juventusit, e para si trajner. Debutimi si ky kërkonte guxim, si dhe vetëdije për aftësitë e veta, veçanërisht në një periudhë të shënuar nga një mijë vështirësi, me botën e detyruar nga pandemia të rishpikojë rregullat e saj ditë pas dite.

Andrea bëri gjithçka mundi. Ai nisi (ne jemi të sigurt: e tija do të jetë një karrierë e shkëlqyer), një udhëtim transformimi, duke kërkuar dhe shpesh menaxhuar, për të sjellë idetë dhe përvojën e tij si kampion në fushë. Nga “ana tjetër” ato që vlejnë janë fitoret. Le t’i kujtojmë ato: për disa muaj, Juventusi i tij ka ngritur dy trofe dhe ka sjellë në shtëpi fitore të shkëlqyera në fushat më prestigjioze, nga “San Siro” në “Camp Nou”.

Për të gjitha këto, për guximin, përkushtimin, pasionin me të cilin përballej çdo ditë, për sukseset e fituara, falënderimet tona vijnë vërtet nga zemra. I përcjellim urimin tonë të sinqertë për një të ardhme që sigurisht do të jetë e bukur”, – është deklarata që u shfaq në faqen zyrtare të Juves.