Politika Fevziu: Thyerja Basha-Berisha kosto për PD, vendi pa opozitë të fortë

Fevziu: Thyerja Basha-Berisha kosto për PD, vendi pa opozitë të fortë

Gazetari Blendi Fevziu nga studio e Të Paekspozuarit në MCN TV ka komentuar për situatën e krijuar në Partinë Demokratike pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.

Teksa argumentoi se Basha vendimin mund ta kërkonte përmes një procedure normale, sqaron se ftohja brenda PD është problematike dhe se thyerja mes Berishës dhe Bashës mund ti japë kosto të mëdha PD-së, pasi siç ai shprehet një vend pa një opozitë të fortë është një dramë e madhe për vendin.

“Basha mund ta kërkonte në një procedurë normale largimin e Berishës. Por ajo që bëri i jep Berishës sot një mundësi për këtë betejë që ka nisur. Basha është produkt i Berishës, ka shumë raste kur ato ngrihen mbi prodhuesin e tyre, por në këto momente kur ti ke një zgjedhje për të bërë, bëje në një mënyrë normale brenda PD. E vlerësoj njëherë që Basha mori një vendim, por ky vendim ai kishte të drejtë të thoshte që nuk mund ta mbaj dot Berishën dhe në fund të thoshte o unë o Berisha dhe besoj se ai do fitonte. Thyerja mes Berishës dhe Bashës mund ti japë kosto të mëdha PD, një vend pa një opozitë të fortë është një dramë e madhe për vendin”.

I pyetur nëse iku vërtet Berisha në 2013, Fevziu argumentoi se u largua nga drejtimi dhe jo nga PD, ndërsa shtoi se vitet e fundit vendimet në PD i ka marrë Basha.

“Në 2013, u largua nga drejtimi jo nga PD. Kam një bindje se vendimet i ka marrë Basha, vendimet vitet e fundit në PD dhe jo Berisha, pas 2017 dhe këtej dhe kjo për të kontrolluar partinë, moment delikat kur Basha pa disa skenarë për të sjellë PD në pushtet”.

Sipas Fevziut, kreu i PD Lulzim Basha nuk mund të sjellë PD në pushtet në këto rrethana. Fevziu u shpreh se Basha mund të qëndrojë në krye të PD sa të dojë nëse thyhen rregullat e lojës, madje siç u shpreh ai mund ta shtyjë derisa të bëhet kryeministër.

“Në këto rrethana jo, në rrethana të tjera ndoshta. Nuk dihet çfarë ndodh. 25 prilli e gjeti PD në rrethanat më të mira për të fituar, me një qeveri 8 vite në pushtet dhe në fund nuk fitoi dot. Basha mund të qëndrojë në krye të PD sa të dojë nëse thyhen rregullat e lojës”, tha Fevziu.

Pyetjes nëse ndoshta Berisha po e meriton përjashtimin nga PD, gazetari Blendi Fevziu iu përgjigj duke thënë se në Shqipëri ka pasur gjithmonë një mentor që e sjell dikë në pushtet dhe më pas ai e shkelmon. Duke sjellë shembujt nga Ahmet Zogu e deri te Basha në “Të Paekspozuarit”, Fevziut tha se historia po përsëritet. Ai theksoi se e djathta ka pasur pozicion solid dhe këtu është degradim i madh. Sipas Fevziut fiton Luli apo Berisha vështirësia në PD do të jetë e madhe.

“Gjithmonë ka një mentor që e sjell dikë në pushtet dhe më pas e shkelmon. Historia e Shefqen Vërlacit me Ahmet Zogun. Enver Hoxha po ashtu është një histori e tillë që Koço Tashko me të tjerë e morën dhe e futën në Korçë dhe ai i përzuri dhe i pushkatoi më pas. E njëjta është historia në PD, Sali Berishën e sollën në pushtet, më pas Bashën dhe historia përsëritet kështu. PD ka qenë një parti e mbushur me histori përjashtimesh, luftërash ku mendimi kundër nuk ka qenë gjë e mirë. Brenda së djathtës ka pasur beteja titanike, por të gjitha betejat kanë qenë parimore, sot debati në PD se ka këtë përmbajtje, ka debate banale. E djathta ka pasur pozicion solid dhe këtu është degradim i madh. Thelbi i krizës në PD është që nëse PD do të fitojë zgjedhjet dhe Shqipëria të ketë një opozitë, PD duhet të jetë e fortë me çdo skenar. Fiton Luli apo Berisha vështirësia në PD do të jetë e madhe. PD duhet të kishte gjetur një skenar kompromisi para se kjo të ndodhte. Ose Basha duhet ta kishte bindur Berishën të mos dilte ose Berisha duhet të kishte gjetur një zgjidhje. Tani është shumë vonë, zarat janë hedhur dhe tani duhet të shohim ku do ndalojnë. Sipas meje ky nuk është teatër, por krizë e vërtetë”, tha Fevziu.