Aktualitet Jashtë, por brenda: Ja si eksperienca e punës dhe jetës mund të...

Jashtë, por brenda: Ja si eksperienca e punës dhe jetës mund të merret edhe në Ballkan

A mund të dojë të jetë praktikant edhe brenda për brenda Ballkanit një i ri? Mendja nuk të shkon re vendet fqinje për “eksperienca jashtë”. Por, ja që nëse shumica e të rinjve kërkojnë eksperienca pune në vendet Perëndimore, projekti Hello Neighbour: Knowing the region through internships” vërtetoi se ka edhe të rinj që do të donin që këto eksperienca t’i kishin në Ballkan. Nuk ishin pak, por 12 të rinj që u angazhuan drejtpërdrejt në praktika pune dy javore nëpër organizata të ndryshme jofitimprurëse duke u shkëmbyer mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Të rinjtë, angazhuar me fokuse e interesa të ndryshme në shoqërinë civile aplikuan e provuan ç’do të thotë të ndash udhëtimin me autobus 11 orë, apartamentin me qera, zyrën, tavolinën e punës, mëngjesin vaktet, ditët e mbrëmjet në njërin nga vendet fqinje jo si turist. As si pjesëmarrës konferencash, por si praktikant real, duke njohur kështu kulturat tona nga një tjetër këndvështrim.

Po pas kësaj eksperience, a do donin ata të punonin në një vend fqinj, jo në shtëpi, por as larg shtëpisë?

Po, dhe këtë e pohuan nëpërmjet eksperiencës. Dy javë në një vend pritës ishin të mjaftueshme që ata të krijonin idenë e jetesës e bashkëjetesës me qytetarë e me kolegë që i njihnin vetëm përmes stereotipeve të medias. Në këtë projekt të dy anët e medaljes ishin interesante e plot me zbulime të vogla, por të këndshme; edhe praktika e punës, edhe njohja me fqinjin nga pikëpamja personale.

Një pjesë e të rinjve pjesëmarrës ishin studentë të sapodalë nga auditorët dhe kjo eksperiencë ishte një pikënisje e shkëlqyer që ata të mendonin se tregu i punës nuk është vetëm në vendin e tyre apo në perëndim, por ata mund të punojnë edhe në vendet e Ballkanit. Një pjesë tjetër ishin praktikantë në organizatat partnere dhe po e vlerësonin shumë këtë mundësi për të reflektuar mbi të ardhmen e punës së tyre.

12 qytete e 36 organizata u bënë pjesë e kësaj nisme kaq të thjeshtë në pamje të parë, por thellësisht njerëzore, me praktikantë që lëvizën nga Korça e Lushnja, deri në Cazin apo Tuzla, e nga Zenica në Rozaje apo Podgoricë. Duke njohur pjesëza të Ballkanit që harrojmë t’i vëmë re!

Një nga pjesëmarrëset ishte vetë drejtuese organizate në Zenica (Bosnje dhe Hercegovinë) dhe kërkoi të provonte këtë eksperiencë në Podgoricë (Mal të Zi). E përjetoi ndryshe këtë eksperiencë aq shumë sa ua sugjeroi dhe shumë të tjerëve në vendin e saj që ta provonin. Dy të rinj entuziastë u përfshinë në këtë eksperiencë pikërisht prej përshtypjeve të saj. Përveç kësaj në Zenica ajo priti dhe dy të rinj të tjerë nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Kur të gjithë po gjenden përballë një situate ku të rinjtë u përgjigjen këtyre thirrjeve gjithnjë e më pak, Qendra Impakt kishte dhe kërkesa të cilave nuk u përgjigjej dot për shkak të numrave të paracaktuar. Sidoqoftë sfida e madhe e të rinjve nga Ballkani është e hapur për këdo që ndjen se kufijtë duhen fshirë e se ne jemi kaq të ngjashëm.

Harrojeni politikën e median. Këta të rinj vendosën ta njohin Ballkanin vetë përmes projektit. Përjetuan e krijuan idetë e tyre mbi fqinjët.

Përmes postimeve në rrjetet sociale, duket se këta të rinj janë të gatshëm të lëvizim, punojnë e jetojnë në rajoni. Madje po i kërkojnë ato mundësi. Kufijtë nuk ekzistojnë mes njerëzve të thjeshtë të cilët e shohin Ballkanin Perëndimor si një shtëpi të madhe që ka vend për të gjithë.