Aktualitet Kremtohet dita e “Jo”-së greke në Bularat e Këlcyrë, Piro Dhima pranë...

Kremtohet dita e “Jo”-së greke në Bularat e Këlcyrë, Piro Dhima pranë prindërve të Kacifas

Ashtu si çdo vit, është përkujtuar edhe në jug të Shqipërisë nga zyrtarë helenë Festa Kombëtare e Greqisë, me rastin e 81-vjetorit të ditës së “Jo”-së.

Me flamuj dhe veshje tradicionale, ceremonitë kanë startuar në varrezat e ushtarëve grekë në Grykën e Këlcyrës, ku është mbajtur një meshë fetare në Manastir dhe më pas janë vendosur kurora me lule në varrezat, ku prehen eshtrat e 650 ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke në vitet 1940-1941.

Në Këlcyrë kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorja greke Sofia Filioidhu, konsulli grek i Gjirokastrës, Dimitris Saharidis, zv/ministri i Jashtëm grek Andreas Kasanjotis, si dhe deputetët minoritarë të Kuvendit shqiptar, Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së dhe Niko Kuris, deputet i PS-së për Sarandën.

Ceremonitë kanë vijuar në fshatin Bularat në Bashkinë Dropull, ku të gjithë personat e mësipërm kanë marrë pjesë në meshën e organizuar në kishën e fshatit.

Ceremonitë zhvillohen në bashkëpunim më palën shqiptare, siç parashikohet në traktatin e bashkëpunimit për kërkimin, identifikimin dhe rivarrimin e të rënëve të luftës, firmosur prej dy vendeve dy vjet më parë.

Mësohet se familjarët e ekstremistit grek Kostandinos Kacifas nuk janë lejuar të marrin pjesë në varreza gjatë ceremonive të nderimit të ushtarëve grekë të rënë në luftë me italianët.

Gjatë kremtimeve, është shfaqur edhe ish-peshëngritësi i njohur me origjinë shqiptare, Piro Dhima, i cili mbrojti ngjyrat e flamurit grek pas viteve ’90, duke marrë disa medalje ari olimpike.

Dhima ka qëndruar në krah të nënës së Kostandinos Kacifas gjatë meshës që u zhvillua në kishën e Bularatit në Gjirokastër, ndërsa u vendosën kurora me lule edhe pranë varrit të ekstremistit minoritar Kostandinos Kacifas, i cili vrau veten gjatë përplasjes me armë me forcat Renea.

Por për kreun e PBDNJ, Vangjel Dule prokuroria nuk po thotë të vërtetë lidhur me këtë ngjarje, pasi sipas tij ka devijuar hetimet.

“Prej ditës tragjike jam shprehur dhe vazhdoj të shprehem: është vetëm e vërteta ajo që shëron dhe e vërteta nuk na është treguar. Çdo truk që përdoret nga prokuroria apo media nuk ka asnjë fakt të së vërtetës. Prokuroria thotë u vetëvra ndërsa policia ditën e ngjarjes thotë u vra. Kë të besojmë?”, tha Dule.

28 tetori i vitit 1940 njihet si dita e “JO”-së së Greqisë duke shënuar fillimin e luftës. Italia sulmoi Greqinë përmes Shqipërisë, por u befasua nga kundërpërgjigja kur Greqia hodhi poshtë një ultimatumin për të lejuar futjen e trupave pushtuese. Që atëherë, kjo ditë në Greqi është festë kombëtare.