Politika Kriza në PD, Basha: Do ta zgjidhim me një dialog me njëri-tjetrin

Kriza në PD, Basha: Do ta zgjidhim me një dialog me njëri-tjetrin

Lulzim Basha foli sërish sot për situatën e krijuar në partinë që ai e udhëheq, ku një pjesë e madhe e deputetëve kërkojnë largimin e tij pas zgjedhjeve të 6 marsit.

Basha kërkoi që vëmendja të jetë tek afera e inceneratorëve dhe jo te kriza në PD, për të cilën ai tha se është brenda familjes dhe do të zgjidhet me dialog.

“Ne do të dimë të përballemi me situatën brenda familjes tonë. Do ta bëjmë atë duke vënë në punë vlerat më të mira njerëzore. Do ta bëjmë me një dialog me njëri-tjetrin dhe të gjithë shoqërinë, që t’i japë një goditje kësaj qeverisje”, tha Basha.

Ndërkohë, Basha përsëriti edhe njëherë se ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të zgjidhur krizën, por jo të japë dorëheqjen. “Do të bëj gjithçka që PD të dalë nga drama. Jam i gatshëm të bëjë gjithçka. Ama një gjë, kauza është forcimi, ringritja e PD. Kushdo që mendon se mund të më bëjë presion mua apo demokratëve, nuk bën gjë tjetër veçse i shërben shkatërrimit të PD. Ne kemi nisur një proces që prej së hënës, e kemi vazhduar të martën, do ta vazhdojmë edhe në ditët e ardhshme”, tha Basha.