Bota Ligjet e miratuara nga Polonia, tension i lartë me Uashingtonin

Ligjet e miratuara nga Polonia, tension i lartë me Uashingtonin

Marrëdhëniet e Polonisë me komunitetin ndërkombëtar po bëhen gjithmonë e më të vështira. Ditën e djeshme, Parlamenti polak ka miratuar një seri ligjesh mbi tema shumë delikate, që kanë shkaktuar reagime të ashpra në Bruksel dhe veçanërisht në Uashington.

Ligji i parë ka të bëjë me dëmshpërblimin e familjeve polake me origjinë hebraike, që me ligjin e ri vështirësohet deri në pamundësi. Ligji parashikon një limit 30-vjeçar, diçka që anulon pjesën më të madhe të kërkesave për dëmshpërblim për ato prona që janë sekuestruar fillimisht nga autoritetet naziste dhe më vonë nga ato komuniste, gjatë regjimit.

E gjithë qasja e ligjit, në të cilin shkruhet shprehimisht edhe që miratohet “për të mbrojtur popullin polak nga vjedhjet”, duke marrë një stereotip të vjetër mbi komunitetin hebraik. Por janë subjekt i polemikave edhe ligjet e tjera, veçanërisht ai për mediat.

Nuk ka munguar reagimi i ashpër i Uashingtonit, që tashmë ka arritur nivelin më të ulët të marrëdhënieve me Varshavën. Vetë sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka cilësuar ligjet si “kundërshtuese me vlerat bazë të Perëndimit, duke kufizuar liritë për të cilët polakët kanë luftuar dhe vuajtur shumë. Polonia duhet të kuptojë që këto ligje shkojnë kundër parimeve që një shoqëri moderne duhet të respektojë”.

Sipas burimeve, administrata amerikane po mendon seriozisht një rishikim të politikës ndaj një vendi ku ka investime të rëndësishme, ashtu si dhe baza ushtarake. Në këtë aspekt, janë shtuar kërkesat për një transferim të këtyre bazave në Ballkan, veçanërisht në Rumani.

Ndërkohë, vetë politika polake gjendet në kaos, me një krisje në koalicionin qeverisës që faktikisht e ka “shkrumbuar” mazhorancën.