Bota Përplasje në OKB, sekretari Guterres: Sulmi i Hamas nuk lindi nga hiçi....

Përplasje në OKB, sekretari Guterres: Sulmi i Hamas nuk lindi nga hiçi. Izraeli: Jep dorëheqjen menjëherë

“Sulmet e Hamasit kundër Izraelit nuk erdhën nga hiçi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke hapur takimin e posaçëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krizën në Lindjen e Mesme.

“Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet. Ata e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna; ekonomia e tyre u mbyt; njerëzit e tyre të zhvendosur dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara. Shpresat e tyre për një zgjidhje politike të gjendjes së tyre janë zhdukur”.

Guterres shtoi se “ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez.

Deklarata këto që ngjallën zemërimin e Izraelit. Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, i është përgjigjur numrit një të OKB-së, duke thënë se fjalët e tij janë “tronditëse”, “të tmerrshme” dhe “krejtësisht të shkëputura nga realiteti i rajonit tonë”.

“Komentet e tij… përbëjnë një justifikim për terrorizmin dhe vrasjen”, thotë Erdan. “Është e trishtueshme që një person me pikëpamje të tilla është kreu i një organizate që u ngrit pas Holokaustit”.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan kërkoi më tej dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

“Unë e ftoj atë të japë dorëheqjen menjëherë. Nuk ka asnjë justifikim apo pikë për të folur me ata që tregojnë mirëkuptim për aktet më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit – as më pak nga një organizatë e shpallur terroriste”, tha ai.