Aktualitet Poetja Mimoza Ahmeti dënohet se riparoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti, Edi...

Poetja Mimoza Ahmeti dënohet se riparoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti, Edi Rama reagon ndaj Prokurorisë së Tiranës

Mimoza Ahmeti, poetja e dashur për të gjithë, autorja e teksteve në këngë midis tyre edhe “Në mbretërinë e Xhuxhave”, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës u dënua nga gjykata për ndërtim të paligjshëm.

Pa marrë parasysh as profilin e saj dhe as faktin që banesa e poetes së mirënjohur ishte dëmtuar nga tërmeti, gjykata urdhëroi që Mimoza Ahmeti të kryejë punë me interes publik për 40 orë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter për dënimin e poetes Mimoza Ahmeti për ndërtim të paligjshëm.

“Pas një këngëtari, ja edhe një poete që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara! Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike! Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët“, shkruan Rama në rrjetin social.

Poetja e njohur Mimoza Ahmeti u detyrua të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës për të dëgjuar edhe njëherë rezultatet e hetimit nga prokurori që e kishte përballë. Gruaja e vargjeve të njohura dhe e këngës kujtoi edhe njëherë se shtëpia që kishte në Petrelë iu dëmtua nga tërmeti dhe se në këto kushte ajo u duhet të ndërtonte një banesë të re, raporton Tch.

Por pavarësisht provave, fjala e poetes nuk preku askënd, ashtu sikurse ndodhi më herët edhe me këngëtarin Bojken Lako, dënuar për ndërtim pa leje.

Në karrigen e të akuzuarit presin për t’u ulur për të njëjtën vepër penale 30 shtetas të tjerë, emrat e të cilëve u dorëzuan si të pandehur nga prokuroria më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit. Po për vitin 2022, janë shpallur fajtorë në Tiranë për ndërtim të paligjshëm 15 shtetas, që të gjithë qytetarë të thjeshtë, poetë e këngëtarë. Por asnjëri nuk është ndërtues i njohur.