Bota Protesta të dhunshme në Itali kundër certifikatës së gjelbër

Protesta të dhunshme në Itali kundër certifikatës së gjelbër

Kjo fundjavë shënoi protestat më të dhunshme në Romë kundër certifikatës së gjelbër. Qindra protestues, përfshirë edhe grupet neo-fashiste, u përleshën me policinë në sheshet kryesore të kryeqytetit italian, për të kundërshtuar kufizimet e theksuara në përditshmëri që u krijon ky dokument atyre që nuk duan të vaksinohen.

Protestuesit tentuan të hynin në zyrën e kryeministrit Mario Dragi, por nuk u lejuan nga policia që përdori edhe gazin lotsjellës për të larguar turmat.

Dragi kritikoi ashpër protestat e dhunshme pranë zyrave të tij dhe tha se asgjë nuk do ta ndalë fushatën e vaksinimit masiv, për të mbrojtur vendin nga COVID-19. Nga 15 Tetori, në të gjithë vendet e punës në sektorin publik e privat, certifikata e gjelbër bëhet e detyrueshme.

Kush nuk vaksinohet duhet të paraqesë të paktën 1 herë në javë një tampon negativ, të kryer me kostot e veta. Ndërsa ditët e karantinës nuk paguhen. Kjo për punonjësit e pavaksinuar do të thotë “të paguash për të punuar” dhe shkelje e lirive themelore të njeriut.