Aktualitet Vrasja makabre e 8-vjeçarit, Basha: Një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat...

Vrasja makabre e 8-vjeçarit, Basha: Një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku Klodian Çalamani, rrëmbeu dhe vrau 8-vjeçarin Mateo Vasiu.

Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se është i tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme dhe shton se e djeshmja është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar.

Sipas tij duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, nevojitet një strategji e re që ngjarje të tilla të parandalohen.

“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve!

Dita e djeshme, e cila jo për herë të parë na përballi me ngjarje të rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social. Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë”, shkruan Basha.