Aktualitet Zbardhet pas tre vitesh vrasja e dyfishtë në Lushnjë

Zbardhet pas tre vitesh vrasja e dyfishtë në Lushnjë

Tre vite pas vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ku mbeti i plagosur edhe Marius Xhepexhiu, prokuroria ka arritur ta zbardhë këtë ngjarje.

Bëhet e ditur se këtë të martë u organizua operacioni policor i koduar “Sarava”, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, e cila, bazuar në provat e siguruara nga hetimi i Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale ”Trafik narkotikësh”;

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Për shtetasin Orgest Bilibili u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25.07.2020 në IEVP Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, gjatë operacionit policor “Sarava”, nga ana e Policisë së Lushnjës, DVP Fier, FNSH Fier dhe forcat speciale RENEA janë ushtruar kontrolle në 13 banesa.

Nga kontrolli i këtyre banesave janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu teke, një sasi municioni luftarak, 30000 dollarë amerikan, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, 4 automjete dhe 16 aparate celularë.

Në lidhje me sendet e paligjshme të gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrolleve u proceduan penalisht shtetasit L. Z., 36 vjeç, R. Z., 23 vjeç dhe H. T., 17 vjeç.