Kryesore Fundi i një epoke/ Erdogan: Zgjedhjet e 31 Marsit janë të fundit...

Fundi i një epoke/ Erdogan: Zgjedhjet e 31 Marsit janë të fundit për mua

Në Turqi po vjen fundi i një epoke, pasi zgjedhjet vendore të 31 Marsit do të jenë të fundit për presidentin Rexhep Taip Erdogan.

Ligji parashikon që këto të jenë zgjedhjet e fundit që Erdogan merr pjesë, dhe më pas stafeta do të kalojë te mbështetësit e tij.

“Siç e dini, 31 marsi është një pikë kthese për Turqinë. Dhe në këtë pikë kthese, sytë e gjithë botës islame janë drejt Turqisë. Çfarë do ndodh në Turqi?”, tha presidenti turk, sipas TRT Haber.

Duke kujtuar se deri në zgjedhje kanë mbetur edhe 22 ditë, Erdogan deklaroi se duke shfrytëzuar sa më mirë këto ditë, shpreson të ketë përgjigjen e nevojshme në kutinë e votimit.

“Këto zgjedhje janë të fundit për mua, sipas mandatit të dhënë nga ligji. Rezultati që do të dalë do të jetë transferimi i një trashëgimie te vëllezërit e motrat e mia që do të vijnë pas meje”, citohet të ketë thënë ai, i cili më tej tha “shpresojmë të fillojmë një epokë të re që nga 1 Prilli.”

Erdogan, politikani më i suksesshëm i Turqisë moderne, ka udhëhequr vendin për më shumë se dy dekada. Fituesi i disa zgjedhjeve që nga viti 2002, Erdogani u rizgjodh për një mandat pesëvjeçar gjatë zgjedhjeve të kontestuara në maj të vitit 2023.