Bota OBSH parashikon fundin e pandemisë: Europa së shpejti në “armëpushim” me Covid

OBSH parashikon fundin e pandemisë: Europa së shpejti në “armëpushim” me Covid

Dy vjet pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Europa së shpejti mund të hyjë në një “qetësim të gjatë” për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, varianteve më të buta të virusit dhe fundit të dimrit, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge tha se parashikohet “një armëpushim që mund të shndërrohej në paqe të qëndrueshme”.

“Ky kontekst na lë me mundësinë e një periudhe të gjatë qetësie,” u tha Kluge gazetarëve të enjten.

Imuniteti i fituar përmes vaksinimit dhe infeksioneve të mëparshme, i kombinuar me ndryshimin e stinëve, gjithashtu e vendos Evropën në një pozicion më të mirë për të penguar çdo rishfaqje të transmetimit, argumenton Kluge.

“Kjo nuk do të thotë se tani mund të themi se pandemia ka përfunduar plotësisht, por ne kemi një mundësi unike për të marrë kontrollin e transmetimit”, theksoi ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se skenari optimist do të ishte i vërtetë vetëm nëse vendet do të vazhdonin fushatat e tyre të vaksinimit dhe do të intensifikonin mbikëqyrjen për të zbuluar variante të reja.

Me variantin më ngjitës Omicron në qarkullim, infeksionet janë rritur në të gjithë rajonin europian të OBSH-së, i cili përfshin 53 vende, duke përfshirë disa vende në Azinë Qendrore.

Rreth 12 milionë raste të reja u regjistruan javën e kaluar në rajon, sipas OBSH-së, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë.