Kryesore “Orë të vështira për ne”, ambasadorja shqiptare në Izrael flet nga aeroporti...

“Orë të vështira për ne”, ambasadorja shqiptare në Izrael flet nga aeroporti i Tel Avivit: Jemi në kontakt me çdo shqiptar

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka dhënë një mesazh nga Tel Avivi, për situatën e shtetasve shqiptarë pas ndezjes së konfliktit Izrael-Palestinë, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur qindra persona.

Ambasadorja thotë se janë në kontakt me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi.

Ajo garanton shqiptarët dhe familjet e tyre që nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe autoriteteve izraelite, po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë.

“Unë jam Meri Kumbe, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe aktualisht ndodhem në aeroportin e Tel Avivit. Prej 48 orësh kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme, z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael, për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës, si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”, thotë ambasadorja shqiptare.

“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë”, shton ambasadorja shqiptare në Izrael.